©NORMA.al 2026
Kushtet e Përdorimit
Përditësuar së fundmi: 6 Mars 2026
Kjo Marrëveshje Përdorimi (“Marrëveshja”) rregullon kushtet dhe termat e përdorimit të platformës NORMA.al (“Platforma”), e cila ofron shërbime juridike elektronike, akses në legjislacion, jurisprudencë, modele dokumentesh dhe funksionalitete të tjera të përshkruara më poshtë. Duke përdorur Platformën, përdoruesi deklaron se ka lexuar, kuptuar dhe pranuar këtë Marrëveshje.
Neni 1
Qëllimi i Platformës
NORMA.al synon të ofrojë informacion juridik të përditësuar, të organizuar dhe të aksesueshëm, duke ndihmuar profesionistët dhe individët të orientohen në legjislacionin shqiptar. Platforma është vetëm përpunuese dhe organizuese e informacionit ligjor; versioni autentik ose zyrtar i akteve dhe vendimeve të gjykatave gjendet në faqen zyrtare të Qendrës së Botimeve Zyrtare (QBZ). NORMA.al nuk merr asnjë përgjegjësi për përmbajtjen e tyre.
Neni 2
Përkufizime
- “Përdoruesi” — çdo person fizik që krijon llogari ose përdor shërbimet e Platformës.
- “Shërbimet” — të gjitha funksionalitetet që ofron Platforma, përfshirë aksesin në akte ligjore, akte nënligjore, jurisprudencë, modele dokumentesh, bibliotekë elektronike personale, shënime dhe komentime, kërkim inteligjent me AI, njoftim në kohë reale, etj.
- “Përmbajtja” — çdo material juridik, tekst, dokument, informacion ose përditësim i ofruar nga Platforma.
Neni 3
Krijimi dhe Menaxhimi i Llogarisë
- Përdoruesi është përgjegjës për ruajtjen e kredencialeve të hyrjes.
- Çdo aktivitet i kryer nga llogaria konsiderohet i kryer nga përdoruesi.
- Përdoruesi nuk mund t’i transferojë të drejtat e tij.
- Është detyrim i përdoruesit të ruajë konfidencialitetin e fjalëkalimeve dhe të njoftojë menjëherë Platformën për çdo akses të paautorizuar.
- Në rast se përdoruesi harron fjalëkalimin, nëpërmjet e-mailit të regjistrimit përdoruesi dërgon kërkesën për “reset” fjalëkalimi dhe vendos fjalëkalimin e ri.
- NORMA.al mund të pezullojë ose mbyllë llogarinë në çdo kohë në rast shkeljesh, për shembull: përdoruesi manipulon funksionalitetet e Platformës, ndërhyn në funksionimin teknik të Platformës, kopjon ose riprodhon elementë të kodit burimor, dërgon materiale të dëmshme si viruse, skripte, spam etj. Përdoruesi nuk ka të drejtë kompensimi në këto raste dhe për çdo shkelje vijohet me ndjekje ligjore për dëmin e shkaktuar.
- Përdoruesi rezervon të drejtën të fshijë llogarinë e tij në çdo kohë, pa të drejtë kompensimi.
Neni 4
Përdorimi i Lejuar
- Përdoruesi angazhohet të përdorë Platformën vetëm për qëllime të ligjshme dhe në përputhje me këtë Marrëveshje. Ndalohet:
- Kopjimi masiv i përmbajtjes;
- Shpërndarja e materialeve të prodhuara nga Platforma pa autorizim;
- Përdorimi i Platformës për qëllime komerciale pa leje.
- Në raste të tilla Platforma ka të drejtë të bllokojë IP-në, pajisjen dhe aksesin e përdoruesit.
Neni 5
Shërbimet e Ofruara
Platforma ofron, ndër të tjera:
- Organizimi i akteve ligjore — strukturim profesional i akteve ligjore dhe ndërlidhja e tyre me aktet nënligjore përkatëse.
- Pasqyrimi i ndryshimeve — çdo ndryshim në aktet ligjore dhe nënligjore shfaqet në mënyrë të dukshme me ngjyra, duke i dhënë përdoruesit një pamje të saktë të versioneve të reja dhe të vjetra.
- Jurisprudenca e Gjykatës së Lartë — përditësim i akteve ligjore me jurisprudencën unifikuese, njësuese dhe ndryshuese të Gjykatës së Lartë.
- Vendimet e Gjykatave — akses i plotë në vendimet unifikuese, njësuese dhe ndryshuese të Gjykatës së Lartë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për çështjet kundër Shqipërisë.
- Njoftime në kohë reale — sinjalizim të menjëhershëm për çdo ndryshim në aktet ligjore dhe për vendimet e fundit të Gjykatave.
- Asistencë me Inteligjencë Artificiale — informacion juridik i bazuar në legjislacionin në fuqi dhe aktet nënligjore të përditësuara nga Asistenti Ligjor AI. Çdo përgjigje është e gjurmueshme deri tek burimi ligjor.
- Bibliotekë Elektronike Personale — hapësirë e dedikuar për të ruajtur, lexuar dhe organizuar aktet juridike sipas interesave, si dhe mundësia për të ngarkuar dokumente të tjera në bibliotekën personale.
- Shënime dhe Komentime — bëni shënime, komente dhe analiza mbi aktet ligjore dhe në vendimet gjyqësore.
- Modele Aktesh — modele të gatshme aktesh proceduriale gjyqësore, administrative dhe kontrata apo dokumente të tjerë juridik (deklarata, marrëveshje, akt themelimi, statute, prokura të standardizuara, etj.), të përgatitura nga Avokatë dhe Juristë, të cilat janë të gatshme për t’u përdorur në praktika të ndryshme juridike dhe administrative.
- Akte ligjore para vitit 1990 — strukturim profesional i akteve ligjore para vitit 1990 dhe ndërlidhja e tyre për të ruajtur koherencën.
Neni 6
Pagesat dhe Abonimet
- Çmimet dhe paketat publikohen në faqen zyrtare të Platformës pasi është krijuar llogaria e përdoruesit.
- Shërbimet e Platformës ofrohen me abonim mujor ose vjetor sipas paketës së zgjedhur (Basic, Premium ose Extra Asistenti Ligjor AI).
- Çmimet përfshijnë shërbimet sipas paketës së zgjedhur.
- Pagesat bëhen paraprakisht. Mospagesa e abonimit çon në pezullim të menjëhershëm të llogarisë.
- Nuk lejohet rimbursim apo anulim në rast mospërdorimi të Platformës.
- Në raste dëmshpërblimi përgjegjësia financiare e Platformës është deri në shumën e abonimit të paguar nga përdoruesi.
Neni 7
Pronësia Intelektuale
- Materialet dhe përmbajtjet e ofruara në këtë Platformë mbrohen nga legjislacioni shqiptar dhe ndërkombëtar për të drejtën e autorit. Të gjitha të drejtat mbi përmbajtjen, grafikat, kodet, strukturën, organizimin dhe përpunimin e të dhënave në Platformë janë pronë e NORMA.al.
- Materialet e përpunuara mund të printohen ose kopjohen vetëm në masën e lejuar nga ligji. Përdoruesi merr vetëm të drejtën e përdorimit, jo të riprodhimit apo shpërndarjes.
- Dokumentet juridike të ofruara në Platformë të cilat janë marrë nga regjistri publik si Qendra e Botimeve Zyrtare (QBZ) ose nga institucionet shtetërore janë nga domeni publik; disa dokumente të disponueshme në Platformë mund t’i nënshtrohen kufizimeve shtesë për përdorim, kopjim ose shpërndarje, sipas kushteve të përcaktuara nga institucionet që i kanë publikuar.
Neni 8
Kategoritë e të dhënave në Platformë
Platforma përmban dy kategori të dhënash:
- Të dhëna të përpunuara dhe të publikuara brenda Platformës, siç është përpunimi dhe organizimi i informacionit nga legjislacioni parësor dhe dytësor, jurisprudenca gjyqësore dhe dokumente të tjera juridike relevante. Përpunimi kryhet përmes metodave analitike dhe teknologjive të inteligjencës artificiale, me qëllim ofrimin e kërkimit efikas dhe navigimit të strukturuar brenda fushës së gjerë të së drejtës. Rezultatet i paraqiten përdoruesit në forma të krijuara nga Platforma, si skedarë, tabela, skeda informative, përmbledhje dhe elementë të tjerë të përpunuar.
- Të dhëna të aksesueshme përmes lidhjeve të jashtme: në disa raste, Platforma mund të ridrejtojë përdoruesit drejt dokumenteve zyrtare të publikuara nga institucionet shtetërore. Për këto materiale zbatohen rregullat dhe kufizimet e përcaktuara nga burimet zyrtare përkatëse.
Neni 9
Përditësimet e Platformës
- NORMA.al rezervon të drejtën të ndryshojë dhe përditësojë në mënyrë të njëanshme politikat e saj të aksesit dhe përpunimit të të dhënave në Platformë.
- Platforma përditëson rregullisht sistemet, modulet dhe integrimet për të siguruar funksionalitet dhe siguri.
- Përditësimet mund të sjellin ndryshime të vogla në ndërfaqe, pa ndikuar në përmbajtjen e të dhënave.
Neni 10
Heqja e Përgjegjësisë
- Platforma NORMA.al ofrohet sipas parimit “ashtu si është” dhe “siç është e disponueshme”. Platforma ofron informacion juridik. NORMA.al thekson se burimet zyrtare të informacionit juridik janë ato të përcaktuara me ligj nga institucionet shtetërore. Platforma shërben si përpunuese dhe organizuese e informacionit, por nuk zëvendëson burimet zyrtare dhe nuk garanton saktësinë absolute të çdo materiali në çdo moment.
- NORMA.al nuk jep asnjë garanci, të shprehur apo të nënkuptuar, lidhur me funksionimin e Platformës, saktësinë e të dhënave, përmbajtjen, interpretimin ligjor apo materialet e ofruara. Përdorimi i Platformës kryhet në përgjegjësinë e plotë të përdoruesit.
- NORMA.al nuk mban përgjegjësi për dëme të shkaktuara nga përdorimi i informacionit, për:
- gabime, pasaktësi ose vonesa në përditësimin e materialeve;
- dëme të drejtpërdrejta ose të tërthorta që mund të lindin nga përdorimi i Platformës;
- vendime juridike, administrative ose profesionale të marra nga përdoruesi bazuar në informacionin e ofruar.
- Përdoruesi është i vetmi përgjegjës për vendimet e tij juridike ose administrative.
- Përdoruesit pranojnë që burimet origjinale të informacionit për legjislacionin dhe praktikën gjyqësore janë vetëm burimet zyrtare të përcaktuara me legjislacionin në fuqi. Platforma nuk merr asnjë përgjegjësi për përmbajtjen.
- Inteligjenca artificiale është vetëm asistencë informative bazuar në bazën e të dhënave të Platformës dhe jo interpretim juridik profesional. Platforma nuk mban asnjë përgjegjësi për rezultatet e inteligjencës artificiale.
- Përdoruesi pranon se çdo interpretim juridik duhet të verifikohet në burimet zyrtare dhe, kur është e nevojshme, me profesionistë të licencuar të fushës së drejtësisë.
Neni 11
Privatësia dhe Mbrojtja e të Dhënave
Të dhënat personale përpunohen në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe politikën e privatësisë të Platformës. Përdoruesi jep pëlqimin për përpunimin e të dhënave të tij sipas politikës së privatësisë së Platformës.
Neni 12
Konfidencialiteti
- Të gjitha informacionet që përdoruesi vendos në Platformë — për shembull: shënime, komente apo dokumente të ngarkuara — konsiderohen konfidenciale dhe janë të enkriptuara. Platforma garanton që nuk do t’i ndajë, shesë apo zbulojë palëve të treta asnjë të dhënë. Përjashtim bëjnë vetëm kërkesat ligjore të autoriteteve shtetërore.
- Platforma nuk përpunon dhe as nuk analizon materialet e ngarkuara nga përdoruesi, por kryen vetëm ruajtjen e tyre.
Neni 13
Transferimi dhe ruajtja e të dhënave
- Të dhënat e aksesit dhe informacionet që përdoruesi vendos në Platformë (shënime, komente apo dokumente të ngarkuara) ruhen për aq kohë sa është aktiv abonimi.
- Brenda 90 ditëve pas përfundimit, të dhënat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni fshihen përfundimisht nga sistemi i Platformës, përveç atyre që kërkohen me ligj të ruhen.
- Platforma nuk është përgjegjëse për të dhëna të humbura për shkak të fshirjes pas periudhës ligjore.
- Platforma mund të transferojë të dhënat tek një kompani tjetër në rast shitjeje ose bashkimi.
Neni 14
Ndryshimet në Marrëveshje
NORMA.al rezervon të drejtën të ndryshojë këtë Marrëveshje në çdo kohë. Përdoruesit do të njoftohen për ndryshimet në emailin e përdoruesit ose në llogarinë e tij në Platformë, përpara hyrjes në fuqi.
Neni 15
Forcat madhore
Platforma nuk është përgjegjëse për vonesa apo dështime të shërbimit të shkaktuara nga ngjarje jashtë kontrollit të saj, përfshirë: fatkeqësi natyrore, luftëra, ndërprerje rrjeti, pandemi, apo sulme kibernetike masive.
Neni 16
Ligji i Zbatueshëm dhe Juridiksioni
- Në rast se një nen shpallet i pavlefshëm, pjesa tjetër e Marrëveshjes mbetet në fuqi.
- Kjo Marrëveshje rregullohet nga legjislacioni i Republikës së Shqipërisë. Çdo mosmarrëveshje i nënshtrohet Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Neni 17
Kontakt
- Përdoruesi pranon si formë zyrtare komunikimin elektronik në emailin e deklaruar në llogarinë e tij në Platformë dhe në rubrikën e njoftimeve në llogarinë e tij në Platformë.
- Për çdo pyetje ose kërkesë, na kontaktoni në info@norma.al.